top of page

Këtu për ju!

Ne e kuptojmë vështirësinë që paraqet për të gjithë ne kjo periudhë e ngjeshur e jetës, Për këtë arsye krijuam këtë seksion me qëllim që të arrijmë të japim një kontribut sado të vogël në përmirësimin e gjendjes suaj fizike, mendore, emocionale e shpirtërore. Për më tepër këshilla e sugjerime mund të drejtoheni në nënseksionet e faqes në varësi të nevojave tuaja personale.

ADOLESHENCA mund të jetë një periudhë e trazuar, madje edhe në kushtet më të mira. Gjatë pubertetit, adoleshentët bombardohen nga ndjenja dhe emocione të reja. Ata përballojnë strese të përditshme nga mësuesit dhe moshatarët. Gjithashtu janë nën ndikimin e vazhdueshëm të televizorit, kinemasë, muzikës dhe të Internetit. Prandaj një raport i Kombeve të Bashkuara e përshkruan adoleshencën si «një periudhë kalimtare që zakonisht karakterizohet nga stresi dhe ankthi».

Mjerisht, adoleshentët shpesh nuk kanë përvojë për ta përballuar siç duhet stresin dhe ankthin. Pa drejtimin e duhur, ata fare lehtë mund t’i hyjnë një rruge me pasoja shkatërrimtare. Për shembull, raporti i Kombeve të Bashkuara thotë: «Studimet tregojnë se shpesh të rinjtë fillojnë të abuzojnë me drogën gjatë adoleshencës ose në vitet e para të moshës së rritur.» E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sjellje të tjera të gabuara të tilla, si dhuna dhe marrëdhëniet seksuale të pambrojtura.

Prindërit që nuk i marrin seriozisht këto gjëra, duke menduar se ndodhin vetëm te «të varfrit» ose te disa grupe etnike, shpesh bëjnë një gabim për të cilin më vonë pendohen. Problemet që po kalojnë të rinjtë sot i kapërcejnë kufijtë ekonomikë, shoqërorë dhe racialë. 

Veç të tjerave është edhe ndikimi i fuqishëm i medias. Sipas studiueses Marita Moll, nga një anketë u zbulua se në Shtetet e Bashkuara, adoleshentët kalojnë mesatarisht katër orë e 48 minuta para televizorit ose kompjuterit.

A është medoemos e dëmshme një gjë e tillë? Një artikull i botuar në revistën Science thoshte se «gjashtë shoqëritë më të mëdha profesionale në Shtetet e Bashkuara», përfshirë edhe Shoqatën e Mjekëve Amerikanë, nxorën njëzëri përfundimin se dhuna që tregohet në media ka lidhje me «sjelljen agresive të disa fëmijëve». «Pavarësisht se specialistët janë të një mendimi,​—thoshte revista Science,​—siç duket, njerëzit e thjeshtë nuk po e kuptojnë mesazhin që vjen nga shtypi, e cila tregon se dhuna që shfaqet në media nxit një shoqëri më të dhunshme.»

bottom of page